Guroret kanë zhveshur malet e Shqipërisë, aq sa duhet të ndryshojë harta. Kodrat e Urës Vajgurore janë zhdukur, ashtu si u zhduk edhe kodra në Bicaj. Me rreth 200 gurore të licencuara, qindra hektarë tokë hiqen çdo vit nga fondi pyjor. Retë e pluhurit kanë pushtuar qytete të tëra, duke shtuar rastet e sëmundjeve kancerogjene. Edhe brenda parqeve kombëtare, malet e Shqipërisë po rrafshohen për t’i eksportuar gurët jashtë vendit. Kush janë të fortët që fshihen pas biznesit të guroreve? Kush po e shpërdoron këtë pasuri të madhe, pa paguar madje as taksat?