U mbajt tryeza e rrumbullakët për dokumentarin “Antibiotikët e kafshëve” transmetuar në Top Channel në 15 Dhjetor 2021. Materiali investigativ është realizuar në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Fuqizimi i gazetarisë në funksion të llogaridhënies dhe demokracisë” (EJAD), implementuar nga Top Channel në partneritet me Fondacionin Friedrich Ebert Stiftung (FES).
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, profesorë të veterinarisë dhe sigurisë ushqimore, kimistë, ekspertë, aktivistë dhe gazetarë.
Ekspertët e pavarur vlerësuan si alarmante situatën në tregun e farmacive veterinare ku siç zbuloi investigimi, tregtoheshin medikamente me përmbajtje kancerogjene rreptësisht të ndaluar.
Tregtimi i medikamenteve pa receta dhe përdorimi i tyre pa konsultimin me veterinerët ishte një prej pikave që u ngrit me shqetësim për rrezikun e madh që sjell te popullata nga mbetjet e rrezikshme antibiotike tek produktet.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë theksoi se stukturat në terren u vunë në lëvizje dhe pas transmetimit të dokumentarit janë nisur një sërë inspektimesh. Po ashtu, pas dokumentarit është analizuar situata për përmirësime ligjore që lidhen me importin, kontrollin, analizimin dhe shpërndarjen e medikamenteve veterinare.