Tryezë e Rrumbullakët mbi Dokumentarin Investigativ “Shqiptarët e Varfër”

U mbajt tryeza e diskutimit për dokumentarin “Shqiptarët e Varfër”, trasmetuar në Top Channel më 19 Janar 2022. Dokumentari ëstë realizuar në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Europian “ Fuqizimi i gazetarisë në funksion të llogaridhënies dhe demokracisë”, implementuar nga Top Channel në partneritet me Fondacionin “Friedrich Ebert Stiftung”.
Pjesë e diskutimit ishin ekspertë të ekonomisë, ekspertë të tregut të punës, përfaqësues të institucioneve shtetërore si dhe gazetarë. Gjatë diskutimit u trajtuan disa nga faktorët që kanë cuar në varfërimin gjithnjë e më shumë të popullit shqiptar. Gjatë diskutimit ekspertët vunë theksin në mungesën e përcaktimit të minimumit jetik, vështirësise se tregut të punës, përcaktimin me ligj të pagës minimale, (duke mos lejuar tregun që të vetë rregullohet). Gjithashtu u diskuta edhe aspekti i ndihmës ekonomike që shteti jep për të papunët. Një aspekt pozitiv që po aplikohet me të gjithë të regjistruarit si të papunë është punësimi i tyre, pra shteti po luan rolin e ndërmjetësit për të punësuar kategori të vecanta që kanë nevojë për punë.
Diskutimet dolën me konkluzionin se është një domosdoshmëri miratimi dhe aplikimi i minimumit jetik në vendin tonë. Në bazë të minimumit jetik do të përcaktohen  pensionet, ndihma ekonomike, paga etj. Tashmë i mbetet qeverisë që të hedh hapin e radhës duke mirtatuar dhe aplikuar minimumin jetik edhe pse kjo do të thotë një kosto e shtuar për buxhetin e shtetit.