Tryezë e Rrumbullakët mbi Dokumentarin Investigativ “Boset e kokaines”

Në kuadër të dokumentarit “Bosët e Kokainës”, u mbajt tryeza e rrumbullakët ku u trajtuan dhe analizuan problematikat që sillte investigimi dhe rreziqet për shoqërinë shqiptare. Materiali u transmetua në Top Channel në datë 10 nëntor 2021, në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Fuqizimi i gazetarisë në funksion të llogaridhënies dhe demokracisë”, implementuar nga Top Channel në partneritet me Fondacionin Friedrich Ebert Stiftung.
Në tryezë morën pjesë ekspertë të sigurisë, profesorë të kriminologjisë, gazetarë dhe aktivistë. Diskutantët u ndalën tek analiza e grupeve kriminale shqiptare, metodat e operimit, shtrirja ndërkombëtare që kanë dhe influenca e rrezikshme në politikë dhe administratë.
Pjesëmarrësit ngritën me shqetësim gjatë tryezës rritjen e flukseve të trafikut të kokainës drejt Shqipërisë si tranzit. Mes të tjerash, u vu theksi tek rastet e shtuara të trafikut përmes pikës kufitare të portit të Durrësit. 
Ekspertët e cilësuan alarmante importimin e krimeve që janë rezutat i prishjes së pazareve të drogës mes bandave shqiptare jashtë territorit.
Korrupsioni në radhët e strukturave ligjzbatuese ishte një prej pikave të ngritura me shqetësim që vlerësohet ende nga ekspertët dhe njohësit e fushës si problem thelbësor në luftën kundër krimit të organizuar.