Tryezë e Rrumbullakët mbi Dokumentarin Investigativ “Grabitje me Arbitrazh”, 25 Mars 2022

Prodhimi dhe transmetimi i një prej dokumentarëve më të ndjekur investigativ “Vjedhje me Arbitrazh”, i cili trajtonte një nga çështjet më të ndjeshme të interesit publik siç ishte humbja e shumave marramendëse të qeverisë Shqiptare në arbitrazh, u pasua nga një tryezë e rrumbullakët me diskutime kontruktive. Pjesë e tryezës ishin ekspertë, juristë, profesionistë të fushës. Gjatë takimit u vu re mungesa e përfaqësuesve të Avokaturës së Shtetit, e cila mbetet një nga institucionet publike kryesore në këtë proces.

Fokusi i diskutimit ishin kontratat e qeverisë Shqiptare me investitorët e huaj, legjislacioni në fuqi, roli i Avokaturës së Shtetit, përfshirja e politikës, administratës dhe korrupsionit në çështjet e arbitrazhit si dhe mungesa e përgjegjësisë nga ana e institucioneve.  Gjatë takimit u identifikuan problemet kryesore që ndikojnë situatën problematike dhe njëkohësisht u ofruan sugjerime nga ekspertët e fushës. Duhet bërë shumë përsa i përket ngritjes së kapaciteteve të stafit të Avokaturës së Shtetit dhe përpjekjeve në luftën ndaj korrupsionit në të gjitha nivelet e administratës publike.