Tryezë e Rrumbullakët mbi Dokumentarin Investigativ “Gropa e Gjyqesorit”

U mbajt tryeza e diskutimit për dokumentarin “Gropa e Gjyqësorit”, transmetuar në Top Channel në datë 6 Prill 2022.  Dokumentari është realizuar në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Fuqizimi i gazetarisë në funksion të llogaridhënies dhe demokracisë”, implementuar nga Top Channel në partneritet me Fondacionin Friedrich Ebert Stiftung EV. Pjesë e diskutimit ishin avokatë, përfaqësues të Dhomave të Avokatisë, të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, përfaqësues të shoqërisë civile, juristë, gazetarë dhe ekspertë. Pjesëmarrësit analizuan problematikat në sistemin gjyqësor, që nga hemorragjia e magjistratëve për shkak të Vettingut, tek ngërçi i krijuar së fundi nga propozimi i një Harte Gjyqësore që kundërshtohet fort nga grupet e interesit.

Përgjatë diskutimeve avokatët dhe përfaqësuesit e pavarur të shoqërisë civile vunë theksin te problematikat që krijon Harta e re Gjyqësore me aksesin në drejtësi, të trajtuara në dokumentar në mënyrë të detajuar bazuar në kazuse konkrete qytetarësh që enden prej vitesh dyerve të drejtësisë.

Pjesëmarrësit konkluduan se shkrirja e disa gjykatave dhe përqendrimi në një gjykatë të vetme Apeli rrezikon që të thellojë problemin e dosjeve stok dhe të rrisë më tej kohën e shqyrtimit të tyre. Sot, Shqipëria ka dhjetëra mijëra dosje stok dhe në Strasburg është krijuar precedenti që detyron shtetin të dëmshpërblejë qytetarët për gjykimin përtej afatit të arsyeshëm ligjor. Fatura që rrezikohet nëse qytetarët i drejtohen Strasburgut është disa qindra milionë euro. Përfaqësuesi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe përfaqësuesit e avokatisë ngritën me shqetësim faktin se propozimet e depozituara prej tyre pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor jo vetëm që nuk janë reflektuar, por as nuk janë shqyrtuar.